Goditet dhe kërcënohet para policëve gazetari i “Shekullit”

Gazetari Dashamir Biçaku, gazetar i kronikës së zezë në Gazetën “Shekulli”, dhunohet para hyrjes kryesore të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, nga shoqëruesi i pronarit të fabrikës së çimentos në Fushë Krujë, Charli Bouri, ndërsa kërcënohen edhe gazetarët Bledi Gilaj, i Gazetës “Shqip” e Thimi Samarxhi i “Gazetës Shqiptare”. Ngjarja ndodhi në sy të disa efektivëve të kësaj drejtorie, të cilët nuk kanë denjuar të ndalojnë autorin e dhunës, duke e lënë të largohet. Nga të goditurat, gazetari Biçaku ka pësuar disa dëmtime trupore në fytyrë dhe gjoks, dëmtime këto të konstatuar edhe nga ekspertët e Mjekësisë-Ligjore.

Mësohet se gjithçka ka ndodhur në ora 12:30 minuta, kur në të dalë të portës kryesore të Policisë së Tiranës, është shfaqur pronari i fabrikës Bouri i shoqëruar nga dy persona, në rolin e bodigardëve, duke iu drejtuar makinës që i priste. Në këtë kohë, gazetari Biçaku me anë të aparatit telefonik në dorë dhe kartën e gazetarit të varur në qafë, i është afruar Bourit duke i bërë fotografi. Edhe pse shoqëruesit e Bourit, e njihnin gazetarin, ashtu siç e njihte edhe vetë pronari i fabrikës, pasi vetëm pak kohë më parë ishte takuar në ceremoninë mortore të ish-zv/drejtorit të fabrikës së çimentos, Anuar Rizik, i cili u vra me tritol, nuk i kursyen të goditurat.

Bashkë me gazetarin Biçaku, ishin edhe dy kolegët e tij Thimi Samarxhiu  dhe Bledi Gilaj, por, çuditërisht shoqëruesi i është afruar vetëm gazetarit Biçaku. Fillimisht, bodigardi e ka pyetur gazetarin nëse kishte bërë foto, duke i kërkuar t’i jepte aparatin telefonik që ta fshinte. Por, refuzimi për ta fshirë foton, e ka irrituar truprojën edhe pse mësoi se personi me aparat në dorë është gazetar i “Shekullit”. “Po prisja para Drejtorisë së Policisë, pasi kisha marr informacione se brenda ishte duke u marrë në pyetje drejtori i fabrikës së çimentos Charli Bouri. Aty rreth orës 12:30 u ngritëm nga kafja, pasi Charli po dilte nga policia së bashku me shoqëruesit e tij. Bashkë me kolegët fotografuam dhe tentuam ta pyesim për arsyen e pyetjes në Polici. z.Bouri u largua dhe në moment u afrua një truprojë, i cili më pyeti nëse kisha bërë foto. Unë pohova se kisha bërë, ndërsa ai më kërkoi që t’i fshija. Dhe, si përgjigje më goditi. Ai kërcënoi edhe kolegët e mi e më pas u largua së bashku me pronarin e fabrikës”, tha Biçaku. Bashkë me kolegët gazetari Biçaku është shoqëruar në Komisariatin nr.3 ku edhe ka bërë kallëzim ndaj shoqëruesve të pronarit të fabrikës së çimentos. Pas kallëzimit, në ambientet e Mjekësisë Ligjore, dr.Fatos Sinani ka bërë edhe ekzaminimin mjekësor të dëmtimeve që gazetari ka pësuar nga të goditurat e shoqëruesit të pronarit të fabrikës.

Vetë Biçaku deklaroi se e njihte pronarin e fabrikës së çimentos, pasi ka komunikuar me të edhe më parë. “Me pronarin kemi komunikuar ditën e ngjarjes dhe në ditët e meshës mortore të palestinezit Anuar Rizik, i cili u vra me tritol në hyrje të shtëpisë së tij, pak kohë më parë. Gjatë ditës së djeshme, mësohet se Bour ishte thirrur në polici për të dhënë shpjegime shtesë.    Protesta Unioni i Gazetarëve, sot në orën 10:30 do të dalë në një deklaratë për shtyp dhe proteste para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ftohen të gjithe kolegët të solidarizohen në këtë protestë kundër incidentit të rëndë të shënuar dje në mesdite, ku u dhunua gazetari i gazetës “Shekulli”, Dashamir Biçaku.   Vrasja e palestinezit, policia pyet prapë pronarin e fabrikës  Në dy ditët e fundit policia duket se ka pasur zhvillime të reja në lidhje me hetimin për zbardhjen e vrasjes së palestinezit Anuar Rizik, ish- zëvendësdrejtorit të fabrikës së çimentos në Fushë- Krujë, i vrarë me 9 maj të këtij viti. Dy ditë më parë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje tre persona nga fshati Zallë i Fushë- Krujës, pjesëtarë të familjes me emrin e fshatit. Ndërkaq veç tyre dy ditë më parë, policia pyeti edhe Xhorxh Xhehën (George Jeha). Ndërkaq, dje në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, është thirrur për t’u ripyetur drejtori i fabrikës së çimentos së Fushë- Krujës, Çarli Bouri. Thirrja Bourit, në ambientet e policisë së Tiranës, nga zyra e hetimit të vrasjeve, mësohet se është bërë me qëllim ballafaqimin e dëshmisë së dhënë prej tij me fakte dhe informacione të fituara nga pyetja e tre personave nga familja Zalla banorë të fshatit me të njëjtin emër. Burimet e policisë thanë se të pyeturit janë tre persona me moshë përafërsisht 25- 35-vjeçarë, ndërsa identiteti dhe të dhëna të tjera mbi ta nuk bëhen të ditura nga policia. Menjëherë pas marrjes së tyre në pyetje, policia ka thirrur aksionerin e fabrikës së çimentos Xhorxh Xheha.

Burimet e policisë thanë për “Shekullin” se Xheha është ripyetur në lidhje me një mesazh telefonik me tekst, të dërguar nga Bashkim Zalla në telefonin celular të Xhorxh Xhehas bashkëaksioner në fabrikën e çimentos. Zalla pretendonte në sms se Xheha po përgatiste të vriste Çarls Bourin që është edhe drejtor i fabrikës. Ndërkaq Xheha vazhdimisht i ka cilësuar shpifje dhe fantazi, këto akuza të Zallës. Ndërkaq mësohet se për të njëjtin problem është pyetur edhe Çarls Bouri. Burimet thonë se Bouri dhe Xheha, nuk kanë shfaqur ndonjë pretendim në lidhje me akuzat e Zallës.

Anuar Rizik 42 vjeç, me shtetësi shqiptare dhe palestineze u një muaj më parë, me 9 maj, në rrugën Budi, pas ambasadës amerikane. Në portën e shtëpisë së tij shpërtheu një granatë artizanale e cila la të vdekur Rizik, ndërsa për fatin e mirë shpëtoi djali i Rizik dy vjeçar. Vrasja e Rizik, ishte kulmi i një serie veprimesh të rënda të ndodhura në fushë- Krujë dhe fshatrat për rreth si dhe rreth fabrikës, me hedhje të shtyllave të tensionit në erë, të cilat furnizojnë me energji elektrike fabrikën e çimentos, vrasjen e një rojeje të saj, plagosjen e një tjetri hedhjen në erë të ambienteve të brendshme të fabrikës si dhe të një muri rrethues të saj.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s