Socialistët kryqëzojnë Endira Bushatin, e akuzojnë si bashkëpunëtore të Berishës

Nga Eneida Jaçaj

Kuvendi ka miratuar me 73 vota pro, 57 kundër dhe 1 abstenim rezolutën e Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit. Rezoluta është miratuar pas shumë debatesh të ashpra mes pozitës dhe opozitës. Kjo e fundit akuzoi  KKRT se ka humbur pavarësinë e saj dhe rolin si rregullatore, duke u bërë palë me pushtetin. Deputeti socialist, Taulant Balla ka sulmuar ashpër kryetaren e KKRT, Endira Bushati, pasi sipas tij, institucioni që ajo drejton merr vendime në bazë të interesave që vijnë nga pushteti. Debati është përqendruar tek emisionet televizive për të cilat KKRT favorizon ato që mbështesin qeverinë dhe ushtron kontroll tek ato që janë indiferente apo kritike ndaj qeverisë.

“Nuk do t’i kisha evidentuar gjithë cilësitë negative të Endira Bushatit, nëse nuk do të kisha parë e dëgjuar sesi kjo zonjë, kryetarja e institucionit e ngarkuar të kontrollojë zbatimin e legjislacionit për mediat nga subjektet që ushtrojnë veprimtari radiotelevizive, publike e private, në Shqipëri, të jepte leksione etike televizive në një banak, duke na folur për gishtat apo gishtin e Sokol Ballës, për kollaret e Fevziut, kokën e Babaramos apo puthjet e emisionit të Çanit. Ligji nuk thotë që kryetarja e KKRT të vlerësojë nga banaku i një televizioni etikën e programeve të televizioneve të tjera”, u shpreh Balla. Deputeti socialist ilustroi shembullin e bllokimit të një reklame televizive nga KKRT, duke theksuar se kryetarja Bushati nuk ndërmerr të njëjtin vendim edhe për emisionet televizive private të qeverisë. “Me urdhër të Endirës u bllokua edhe reklama me shokun e Çimit, sepse sipas Endirës promovon dhunën ndërmjet fëmijëve. Ky rast ka treguar se KKRT nën drejtimin e Endira Bushatit ka vepruar si një kompani private, që vihet në veprim kur i teket, apo interesa të caktuara e shpërblejnë. Kur dashka Endira caktoka edhe psikologë që vlerësojnë impaktin psikologjik tek fëmijët të reklamave, ndërsa në rastet e tjera impaktin psikologjik apo etik Endira e vlerëson vetë”, u shpreh Bushati.

KE për KKRT
Komisioni Europian në progres-raportin e tij të vitit 2009 ka deklaruar se KKRT ka favorizuar mediat e lidhura me qeverinë. Këtë e fakt e ka risjellë deputeti Balla, i cili ka marrë në konsideratë edhe progres-raportin e vitit 2010 dhe 2011. Balla citon se në progres-raportin  e vitit 2011, Komisioni Europian vlerëson se: “Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit vazhdon t’i mungojnë kapacitetet e mjaftueshme administrative dhe teknike dhe shqetësime mbeten për pavarësinë e tij”.  Ndërsa në  progres-raportin e vitit 2010, Komisioni Europian shkruante se: “Kapaciteti administrative dhe teknik i KKRT është i pamjaftueshëm për të plotësuar detyrimet e vendosura nga Direktiva për Shërbimet Mediatike dhe Audiovizuale. Kërkohen masa për të garantuar pavarësinë efektive, përfshirë edhe amendime të legjislacionit”. “Kalimi nga transmetimet radiotelevizive analoge në ato numerike, që është përcaktuar si proces prioritar në të gjitha vendet evropiane, anëtarë të BE ose jo, duhet të kishte qenë dhe duhet të jetë një proces me ndikim të gjerë në gjithë shoqërinë shqiptare”, u shpreh Balla.

KKRT nuk e zbaton kushtet e KE

Për t’i dhënë fund tranzicionit të transmetimeve analoge të trashëguara që nga sistemi komunist, Komisioni Europian në maj të vitit 2005, Komisioni Evropian miratoi Komunikatën “Mbi përshpejtimin e periudhës së tranzicionit nga transmetimet televizive analoge në ato numerike”. Ky ishte një kusht për Shqipërinë që duhej të përfundonte këtë vit. Deputeti socialist, Taulant Balla, deklaroi se KKRT as që ka ndërmend ta realizojë. Ai bëri me dije se në ëebsite e KKRT gjendet e publikuar një “Projekt-Strategji e Republikës së Shqipërisë për kalimin nga transmetimet analoge në ato numerike”, por nuk dihet nëse do të miratohet. “Paaftësi dhe papërgjegjshmëri totale e KKRT. E megjithatë sipërmarrja private në fushën televizive në Shqipëri nuk ka pritur miratimin e strategjive të KKRT. Nëse do të pritnim strategjitë e KKRT së Endirës, do duhej të mbanim akoma në tarracat e pallateve antenat me vibratorë. Por për fat të mirë, falë vizionit të Dritan Hoxhës, Shqipëria ka prej vitit 2004 një platformë të plotë transmetimi numerik të standardeve më të mira europiane, platformën Digitalb”, u shpreh Balla.

Opozita: 5 shkeljet e KKRT

Opozita deklaron se KKRT gjatë dy viteve të fundit ka administruar në mënyrë abuzive spektrin e radiofrekuencave të caktuara për transmetime radioje dhe televizive, në kundërshtim madje me përcaktimet për shërbimin radiodifuzion në “Planin kombëtar të radiofrekuencave” të miratuar nga Këshilli i Ministrave. KKRT ka shkelur ligjin “PËR RADION DHE TELEVIZIONIN PUBLIK E PRIVAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” duke mos garantuar konkurrencën e ndershme në fushën e mediave elektronike. KKRT ka dhënë dhe ka hequr licensat në mënyrë abuzive dhe korruptive subjekteve private për transmetim programesh radiotelevizive dhe ka ushtruar kontrolle selektive. Përmes përcaktimit të kritereve specifikë për dhënien e licensave, KKRT nuk ka garantuar barazi në trajtimin e kërkesave, duke shkelur ligjin në mënyrë të përsëritur.  Masat e marra nga KKRT për ndalimin e piraterisë televizive kanë qenë shumë të dobëta.

Pollo: Liria e shtypit ka funksionuar

Pas akuzave të opozitës për rezolutën e KKRT ka reaguar mazhoranca. Ministri i Inovacionit dhe TIK, Genc Pollo, theksoi se Shqipëria në këto vite ka ofruar një mjedis mediatik, ku pluralizmi, lira e shtypit dhe shprehjes kanë funksionuar mirë. “Nuk themi se jemi perfekt, por vlerësimet e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe OSBE, për lirinë e mediave në Shqipëri, janë se është përgjithësisht pozitiv dhe është progresivisht në rritje”, deklaroi Pollo. Sipas tij, vlerësimi i tyre ka ardhur nga viti në vit në rritje, duke njohur gjithashtu dhe arritje në konsolidimin e lirive në këtë fushë. “Kontribut për këtë rezultat ka qenë dhe përpjekja disa vjeçare e qeverisë për të dekriminalizuar shpifjen, me të cilën u bashkua dhe opozita pas shumë debateve, pasi ligji miratohej me 3/5″, u shpreh Pollo. Reagimi i Pollos në emër të mazhorancës nuk do të mungonte pasi akuzat e deputetëve të opozitës ndaj kryetares së KKRT, Endira Bushati ishin shumë të ashpra.

Leskaj: KKRT, ent ortak i pushtetit

Duke kundërshtuar projektrezolutën e KKRT, deputetja socialiste, Valentina Leskaj e konsideruar këtë institucion, si entin ortak të pushtetit.  “KKRT me rolin e tij në vend që të bëhet pjesë e zgjidhjes është bërë pjesë e problemit. Si një ent rregullator për mediat elektronike në vend KKRT ka dështuar në realizimin e qëllimit për të cilin ekziston; ka dështuar në pagesat e licensave, për sa kohë ka operatorë që nuk paguajnë dhe po ashtu ka dështuar në vjeljen e gjobave, përsa kohë gjobat nuk vilen”, deklaroi Leskaj. Duke iu referuar raportit vjetor mbi veprimtarinë e KKRT gjatë vitit 2011, Leskaj tha se ky dokument pranon dështimin e këtij enti, kur thotë se gjatë vitit që shkoi pjesa dërrmuese e vendimeve të tij nuk janë zbatuar.  “KKRT sot nuk garanton dot konkurrencën e lirë; ai ka dështuar në mbrojtjen e të drejtave të autorit, si dhe në zbatimin e ligjit për reklamën”, theksoi ajo. Duke folur për administratën e KKRT, Leskaj vuri në dukje se ajo është tërësisht e komanduar dhe punonjësit e saj janë në konflikte të dukshme interesi, në kundërshtim me statusin e tyre. Akuzat e Leskajt kanë qenë në drejtim të kryetares së këtij institucioni, Endira Bushati, ku sipas saj, ajo është vendosur nga PD, duke bërë që vendimet që ndërmerren të jenë të njëanshme. Leskaj i është referuar edhe raportit të DASH, i cili flet për shpërndarje të reklamave që bazohet në raporte favoresh,  jo në numrin e shikuesve apo të lexuesve. Thënë shqip me reklama favorizohen klientët e pushtetit. Natyrisht që reklamat shtetërore nuk i ndan KKRT po Qeveria. Problemi është se KKRT hesht për konkurrencën e pandershme, siç hesht edhe për mungesën e transparencës në financime. Të gjitha këto nuk i themi ne, këto i keni në raportin e KKRT. Kur operatorët nuk respektojnë licencat, kur nuk paguhen gjobat, kur pirateria lulëzon, kur nuk janë realizuar asnjë nga detyrat e lëna nga rezolutat e kuvendit çfarë rregullon KKRT ?? Në fakt KKRT është sot në pamundësi për të ushtruar funksionet e rregullatorit”, u shpreh Leskaj.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s