KKRT ka dështuar në përmbushjen e detyrave

Nga Valentina Leskaj

Do doja ta nisja fjalën time me raportin e fundit të DASH, i cili ka qenë mjaft kritik sa i takon situatës së lirisë së shtypit në Shqipëri.

Mes tjerash Raporti flet për raste të presionit politik direkt ose indirekt mbi mediat përfshirë kërcënime ndaj gazetarëve e se Qeveria kontrollon linjën editoriale  të Radio Televizionit Publik. 

Në të dyja rastet KKRT është brenda.

Është brenda pasi jo rrallë KKRT është përdorur nga pushteti si instrument presioni me gjoba e goditje selektive pa folur për RTSH i që është modeli se si nuk duhet të jetë një operator publik.

Në fakt ky raport nuk është i vetmi që tregon me gisht problemet me lirinë e shtypit në Shqipëri. Të gjithë raportet e këtij viti që lidhen me liritë e medias janë kritike, po citoj disa prej tyre :

Freedom House thotë se liria e medias është përkeqësuar krahasuar me një vit më parë, duke rënë në vend të 107,  nga vendi 102 që ishte një vit me pare.
 
Raporti i reporterë pa kufij
: e rendit Shqipërinë 16 vende më poshtë se një vit më parë.

IREX konstaton se “qeveria, jo vetëm ka në zotërim dhe përdorim fondet publike, por edhe ka aftësinë që nëpërmjet tyre të ofrojë “privilegje korruptive”  në favor të mediave që i shërbejnë”.  “Një numër në rritje i mediave i janë nënshtruar varësisë politike, kryesisht të partisë në pushtet. Tani media e pavarur dhe gazetarët janë një specie e rrallë, pranë zhdukjes”.
Dhe në këto vlerësime negative padyshim që  është dhe roli I KKRT-së, e cila në vend që të bëhej pjes e zgjidhjes është pjesë e problemit.
Duke i lënë mënjanë raportet po bëj një ballafaqim me ligjin.

Ligji për  Mediat Elektronike përcakton se “KKRT është autoriteti rregullator në fushën e shërbimeve  të transmetimeve elektronike në territorin e Republikës së Shqipërisë”

Po a është sot KKRT një autoritet rregullator ?

Në fakt ata që e kanë lexuar Raportin e paraqitur e kuptojnë se e ka brenda përgjigjen.

Problemet që ngre raporti tregojnë se KKRT ka dështuar në realizimin e qëllimit për të cilin ekziston, pra rregullimin e tregut.
Ka dështuar  sa kohë që pranon se ka operatorë që operojnë pa licencë, ose me shkelje të kushteve të licencës dhe këta nuk janë pak.
Ka dështuar në pagesat e licencave sa kohë që ka operatorë që nuk paguajnë.
Ka dështuar në bashkëpunimin me tatimet sa kohë që gjobat nuk mblidhen. Ka tarifa të papaguara që nga viti 2009.
Raporti i KKRT-së pranon shtimin kur thotë  se ”Ashtu si edhe në vitet e mëparshme, gjatë vitit raportues, pjesa dërrmuese e vendimeve të KKRT-së nuk janë ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duke sjellë efekte negative dhe mos garantimin e objektivave për konkurrencë të ndershme në tregun mediatik (pra nuk garanton dot konkurrencën e ndershme në tregun mediatik).

Ka dështuar në mbrojtjen e të drejtave të autorit, luftën kundër piraterisë që  po lulëzon, shqetësim që vjen edhe në disa raporte të BE.

Madje pranon që nuk mund ta administrojë piraterinë.
Ka dështuar në zbatimin e ligjit për reklamën.  Raporti I DASH flet për shpërndarje të reklamave që bazohet në raporte favoresh,  jo në numrin e shikuesve apo të lexuesve.

Thënë shqip me reklama favorizohen klientët e pushtetit.

Natyrisht që reklamat shtetërore nuk i ndan KKRT po Qeveria.

Problemi është se KKRT hesht për konkurrencën e pandershme, siç hesht edhe për mungesën e transparencës në financime.

Të gjitha këto nuk i themi ne, këto i keni në raportin e KKRT.

Kur operatorët nuk respektojnë licencat, kur nuk paguhen gjobat, kur pirateria lulëzon, kur nuk janë realizuar asnjë nga detyrat e lëna nga rezolutat e kuvendit çfarë rregullon KKRT ??

Në fakt KKRT është sot në pamundësi për të ushtruar funksionet e rregullatorit.

Sot ajo është realisht pasqyra ku shihen raportet që Kryeministri ndërton me Institucionet e pavarura, me gjykatat, prokurorinë, SHIK-un  etj.

Me KKRT, Berisha ja ka dalë të ndërtojë një institucion tërësisht në shërbim të pushtetit të tij.

Sot institucioni drejtohet nga një Kryetare e anshme, e zgjedhur nga PD, jo si produkt i nevojës për  një institucion të pavarur po për nevojat e ditës të pushtetit.

Ky është një institucion me konflikte të frikshme interesi.

Ligji për mediat elektronike përcakton se  Anëtarët e KKRT-së nuk lejohen:
Të jenë anëtarë të partive politike, deputetë ose anëtarë të qeverisë dhe as të deklarohen publikisht apo të veprojnë në interes të tyre.

Ndërkohë që anëtarë të KKRT-së dalin nëpër TV dhe flasin kundër opozitës e bëjnë propagandë për PD, duke u vënë në kundërshtim të hapur me ligjin që jua ndalon këtë gjë.
Dua të kujtoj se një anëtar i KKRT-së (F.Kulli),  është shkarkuar nga kjo mazhorancë vetëm pse  dikur kishte qenë anëtar i një partie.

Sot anëtarë të Këshillit të përzgjedhur nga kjo mazhorancë, në konflikt të hapur interesi, dalin  në fushatë bëjnë propagandë për pushtetin.

Problemi i dytë  i anshmërisë lidhet me administratën. Aktualisht, KKRT është me një administratë tërësisht të komanduar.

13 drejtues janë marrë me kontratë nga Kryetarja  e cila ka bërë një administratë të komanduar e shërbëtore  të pushtetit.

Po nuk është vetëm kjo.  Sot paguhen nga taksat e shqiptarëve nga dy veta për një vend pune për shkak të gjyqeve të fituara nga të larguarit.

Koston e paguajnë qytetarët me taksat e tyre.

I ndërtuar me një Këshill e administratë klienteliste, sot marrëdhënia e Autoritetit Rregullator me operatorët mediatikë, përcaktohet jo nga ligji po nga raportet e këtyre të fundit me pushtetin.

Kryetarja na dha një provë herën e fundit kur bashkë me disa operatorë, që nuk kanë shlyer detyrimet e pagesave, listoi edhe Top Channel.

Pse e bëri? Në emër të ligjit natyrisht që jo  sepse Top Channel provoi me dokumente që I kishte bërë pagesat sipas ligjit.

Pas këtij dështimi për të njollosur Top Channel, KKRT ndërmori një sondazh në ëebsite-n e saj, ku ftoi qytetarët të shprehin mendimet e tyre, nëse pesë emisione të paracaktuara nga vet KKRT, e shkelin  etikën.

Ky është një rast  flagrant i një veprimi paragjykues dhe tendencioz  jo vetëm për faktin që KKRT i kishte paracaktuar emisionet po ka marrë edhe atribute të Këshillit të Etikës, të cilin e ka nxjerrë jo pa qëllim jashtë loje.

Vlerësimi  nëse një emision shkel ose jo etikën është funksion ligjor i Këshillit të Etikës i cili ka të drejtën edhe të vendimit.
Në fakt Kryetarja u vu vetë në krye të këtij veprimi skandaloz duke  marrë atributet e Këshillit të ankesave .

Ky është presion i pastër ndaj pavarësisë së medias, është presioni për të cilin flet dhe raporti I DASH dhe raportet e tjera që citova.
Të nderuar  kolegë, javë më parë  këtu u diskutua raporti I KDRTSH, të dhënat mbi gjendjen e RTSH ishin skandaloze.  Po çka ndodhur që nga ajo kohë.
Raporti I ri I monitorimit të RTSH, tregon të njëjtën  situate, i njëjti hendek në raportet mazhorancë opozitë.

Për kohën e lajmeve mazhoranca ka marrë 460 minuta, opozita 52 min, presidenti 5 min.

Asnjë reflektim nga rezoluta e kuvendit.

Të njëjtën gjë bën KKRT, të cilën Berisha e përdor si instrument represioni për të pabindurit, asnjë reflektim nga rezolutat e Kuvendit.

Natyrisht që këto nuk janë të vetmet probleme:

Operatorët vazhdojnë të kenë probleme me zonat e mbulimit. Asnjë nga operatorët kombëtarë nuk mbulon 90% të territorit që është detyrim  ligjor.

Ka zona të tëra që njerëzit paguajnë taksën po nuk kanë fare sinjal të RTSH e nuk kanë mundësi ta shohin po askush s’përgjigjet.

Mediat vazhdojnë të kenë probleme me etikën, me të drejtat e njeriut, përfshirë dhe rastin e fundit të aksidentit tragjik të Himarës, probleme me të drejtat e fëmijëve, etj.

Në fakt adresimi i këtyre problemeve  është periferik, kjo edhe për shkak të kapaciteteve të limituara që ka KKRT-ja.  Po sidomos për shkak të klientelizmit dhe paaftësisë .

Çështja e Financimeve në media duhet të ishte një element thelbësor I raportit.

Shqetësimi për mungesën e transparencës së financimeve në media vjen edhe nga BE po asgjë nuk ka ndryshuar.

Ka një spekulim lidhur me kompetencat e KKRT-së për të justifikuar dështimin.

Po a ka KKRT atribute për të vepruar për këto shkelje?  Natyrisht që po.

Problemi është anësia jo boshllëku ligjor.

KKRT i ka instrumentet ligjore për ta bërë këtë neni 7 i ligjit për mediat i jep kompetenca KKRT-së, të: “Vendos zbatimin e sanksioneve për subjektet që veprojnë në kundërshtim me  dispozitat e ligjit…” Pra ligjvënësi i ka dhënë këtij enti jo  vetëm rolin e monitoruesit po dhe të drejtën e sanksioneve.

Së fundi dua të them se për shkak të ortakërisë me pushtetin KKRT nuk është më një ent rregullator i pavarur po një ortake e pushtetit, që marrëdhëniet e sajë me operatorët mediatik i ndërton jo mbi ligjin po mbi nevojat e momentit të pushtetit, ndaj vota e Grupit Parlamentar të PS është kundër .

Advertisements
nga moderatori Postuar te Tema

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s