Projektligji i ri për të drejtën e autorit, inspektimi i kalon Inspektoriatit Qendror të Tregut

E drejta e autorit ka një eksperiencë në ligjin ndërkombëtar të paktën prej 200 vjetësh, ndërkohë që në Shqipëri Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit ka një përvojë vetëm pesë vjeçare. Kjo shpjegon dhe vështirësitë që ka Zyra Shqiptare e të Drejtës së Autorit, për të garantuar si duhet zbatimin e të drejtës së autorit. Gjatë këtyre viteve në vendit tonë  ndeshet një problematikë e gjerë në këtë fushë, të drejtat e autorit dhe të mbajtësve të të drejtave të lidhura me të, problematikë që në jo pak raste ka sjellë dhe debate mes palëve. Por tashmë nuk mund të flitet për mosdijeni nga subjektet përdoruese të ekzistencës të legjislacionit që rregullon të drejtën e autorit, ndërkaq që ZSHDA prej kohësh ka bërë të ditur dhe punën që sipas saj është bërë për hartimin e projektligjit të ri.

Projektligji i ri pritej që të miratohej në muajin shtator, por vonesat për të dërguar vërejtjet mbi atë që është hartuar, kanë bërë që kjo të zvarrisë miratimin e tij. Tashmë pranë ZSHDA bëjnë të ditur se projektligji i ri pritet të shkojë pranë MTKRS, për të qenë më pas më vonë në fazën e miratimit të tij. Projektligji parashikon ndryshime të funksioneve administrative të Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit. Sipas këtij projektligji inspektimi nuk do të jetë më funksion i ZSHDA, por do të kryhet nga Inspektoriati Qëndror i Tregut në Republikën e Shqipërisë. Një detyrë e re Zyrës do të jetë ushtrimi i funksionit si sekretariat teknik, në zhvillimin e procedurës së ndërmjetësimit dhe arbitrazhit për tarifat e propozuara nga Agjencitë e Administrimit Kolektiv. Ky projektligj, sipas ZSHDA, është hartuar në përputhje të plotë me standardet e mbrojtjes së të drejtave të autorit nga instrumente të Bashkimit Europian dhe organizma të tjerë ndërkombëtare dhe parashikon mbrojtjen e të drejtave të autorit pa formalitete, duke parashikuar një sistem vullnetar të regjistrimit të veprave dhe kontratave me objekt “kalim të drejtash”. Krahasuar me ligjin aktual, specialistët e zyrës sqarojnë dhe ndryshimet. Sipas nenit 9 të projektligjit, punëdhënësi i cili kalon të drejtën e autorit apo autorizon (lejon) përdorimin e saj tek të tjerët do t`i paguajë punëmarrësit një shpërblim proporcional, ndërkaq që ligji ekzistues (neni 33) nuk parashikon të drejtën e shpërblimit dhe kontrata e punës duhet të përcaktojë periudhën e kohës për të cilën të drejtat pasurore janë kaluar. Projektligji nuk kufizon kohëzgjatjen e të drejtave ekonomike në veprat e krijuara në marrëdhënie punësimi përgjatë gjithë periudhës së kohëzgjatjes së mbrojtjes së të drejtës së autorit. Sa i takon asaj që quhet shpërblimi i drejtë, ligji aktual ka vetëm një të drejtë për shpërblim të drejtë (neni 18 e drejta e rishitjes). Projektligji prezanton disa shpërblime të reja të drejta: veprat e krijuara në marrëdhënie punësimi; për qeradhënien e veprave audiovizuale; për qeradhënien e fonogramit; huadhënien publike, përdorimin privat, riprodhimin reprografik, përdorimi i fonogrameve. Në rast se kemi kundërvajtjet administrative, ky projektligj parashikon  ndëshkim me gjobë në masën 100 000 deri në 500 000 lekë, në varësi të cënimit të së drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura. Sipas specialistëve të ZSHDA, ka shumë ndryshime në projektligj për sa i përket aktivitetit të agjencive të menaxhimit kolektiv. Ligji aktual lejon vetëm një agjenci të administrimit kolektiv për të njëjtën kategori të të drejtave dhe të njëjtën kategori mbajtësish të të drejtave, ndërsa projektligji prezanton administrim kolektiv të detyrueshëm dhe të zgjeruar, i cili është një risi e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura, në ndryshim nga ligji aktual i cili parashikon menaxhimin kolektiv vullnetar, nëpërmjet anëtarësimit në një agjenci të licencuar, duke i kaluar me shkrim agjencisë tagrat e përfaqësimit. Gjithashtu, projektligji parashikon një mënyrë më të detajuar të sistemit tarifor, si dhe kriteret që duhet të merren në konsideratë nga agjencitë e administrimit kolektiv përpara përcaktimit të tarifave.

Mbrojtja e të drejtave nga 50 vjet bëhet 70 vjet
Sipas projektligjit të ri autorët do të gëzojnë të drejtën e autorit mbi veprat e tyre bazuar vetëm në faktin që e kanë krijuar veprën. Për ekzistencën dhe aplikimin e të drejtës së autorit mbi një vepër asnjë regjistrim apo formalitet tjetër nuk do të kërkohet. Projektligji i ri ndjek standardet ndërkombëtare të të drejtës së autorit dhe parashikon regjistrimin vullnetar në Zyrën Shqiptare për të Drejtat e Autorit. Sa i takon afatit të mbrojtjes së të drejtave të lidhura, ky projektligj në përputhje me ndryshimet e Direktivës “Mbi kohëzgjatjen e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Lidhura” parashikon zgjatjen e afatit të mbrojtjes së të drejtave të interpretuesve/ekzekutuesve dhe prodhuesve të fonogramit, duke e ndryshuar nga 50 vjet në 70 vjet nga data e publikimit të parë të ligjshëm apo përcjelljes së  parë në publik, transmetimit të parë apo vënies në dispozicion të publikut të interpretimit/ekzekutimit të parë, si dhe 70 vjet pas fiksimit të parë të fonogramit, publikimit në mënyrë të ligjshme, apo përcjelljes së parë në publik në mënyrë të ligjshme. Sipas specialistëve të ZSHDA, sa i takon të drejtave ekonomike, projektligji ndjek standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare për të drejtat ekonomike (pasurore) të së drejtës së autorit. Ligji aktual, neni 12, përcakton një listë jo të plotë të të drejtave ekonomike, ndërsa projektligji në nenin 24/1 parashikon një listë të plotë të të drejtave ekonomike për të cilat autori gëzon të drejtat ekskluzive pasurore për të autorizuar apo ndaluar përdorimin e veprës. Mbrojtja e masave teknologjike dhe informacioni për administrimin e të drejtave është quajtur gjithashtu mbrojtje e MDR (Menaxhimi Dixhital i të Drejtave). Mbrojtja MDR është një koncept i ri në ligjin shqiptar dhe ky projektligj parashikon mbrojtje kundër shmangies të çdo mase efektive teknologjike dhe prodhimi, importimi, shpërndarja, shitja, qeradhënia, reklamimi për shitje apo posedimi për qëllime tregtare i pajisjeve, produkteve apo komponentëve, si edhe ofrimi i shërbimeve për shmangien e masave teknologjike

 

About these ads
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s